
Si duhet lexuar raporti i FMN-së për Shqipërinë? Partneri më i ngushtë financiar ndërkombëtar i Ramës në mandatin e parë, prej kohësh ka intensifikuar kritikat ndaj politikave të tij. Kjo veçanërisht për kontratat PPP. Por edhe për shumë nga treguesit e tjerë, për të cilët ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj i ka konsideruar trofe.
A është ekonomia në rrugën e duhur dhe pse FMN është e ashpër me politikat e qeverisë? Kjo temë u diskutua në “A2 Business Week” ku të ftuar në emisionin e drejtuar nga Aurora Sulçe ishin Irena Beqiraj, ish zëvendësministre e Financave dhe Panajot Soko, ekspert për ekonominë.
Raporti i fundit i FMN për ish-zëvendësministren është i balancuar. “Duhet ta themi që në fillim që raportet e FMN nuk janë fleta nderi, jo vetëm për Shqipërinë, por të gjitha vendet. FMN kërkon të jetë e balancuar pasi në fund të fundit, kjo është detyra e saj. Filozofia e tyre është që e mira vjen vetë, duhet të përgatitemi për të keqen. Raporti është i balancuar. Në fillim thuhet se kemi një rritje të qëndrueshme, bilanc tregtar që vjen duke u përmirësuar, rritje të eksporteve dhe të gjitha këto janë poztive. Ndërkohë, thotë se qeveria duhet të ketë kujdes PPP, kushtet financiare të Eurozonës, borxhi i brendshëm. Unë e shoh të balancuar, si të gjitha raportet e FMN”, shprehet Irena Beqiraj, ish zëvendësministre e Financave.
Për ekspertin e ekonomisë, Panajot Soko, raporti i fundit i FMN ishte shuplaka e dytë ndaj qeverisë. “Unë e shoh si një këmbanë alarmi, është një vazhdimësi i këmbanës së alarmit. FMN ka ashpërsuar tonet dhe ka rritur masën. Problemi kryesor që ata theksonin ishte pesha. Kjo është në vijimësi. Qeveria mori një shuplakë, pasi FMN nuk e pranoi 4.5 përqindshin e ministrisë së Financave. Shuplaka e dytë ishte te raporti i fundit”, tha Soko. (A2 Televizion)