Surprizën e paralajmëruar një ditë më parë nga kryetari Sali Berisha, demokratët e demonstruan vetëm në komisionin e posaçëm të reformës territoriale duke shkëlqyer me mungesën e tyre. Partia Demokratike e nisi me bojkot megjithëse ishte zotuar se këtë herë nuk do të përsëriste gabimin e2014-ës.
Nga opozita në komision u ulën vetëm aleatët Edmond Haxhinasto i PL dhe Vangjel Dule i PBDNJ.
Vendimi i demokratëve nuk e pengoi bashkëkryetarin socialist Arbjan Mazniku që të zhvillonte mbledhjen e parë konstituive, me ftesën për konsensus, por se nuk do të lejojnë bllokimin e punës së komisionit.
Për Maznikun organizimi territorial është i lidhur ngushtë me procesin e integrimit europian për Shqipërinë ku bashkitë duhet t’i përgjigjen rolit të tyre, duke i shërbyer zonës dhe qytetarëve të saj. Deputeti i Partisë së Lirisë Edmond Haxhinasto e sheh me skepticizëm fuqizimin e bashkive, në një moment kur pushteti qendror i ka centralizuar shërbimet, veçanërisht vitin e fundit.
Përveç eficencës, socialistët nënvizuan faktin që duhet të tregohen të kujdesshëm me bashkitë minoritare.
Komisioni i posaçëm i reformës territoriale, me dy bashkëkryetarë do të ketë një punë prej 9 muajsh, ndërsa sipas burimeve, deri në fund të këtij viti do të ketë një analizë të plotë të gjendjes se territorit.
Në 2026 do të nisë dhe dizenjimi i ri i ndarjes territoriale administrative, ku PS e ka pranuar edhe publikisht që është për uljen e numrit të bashkive në vend, ndërsa opozita kërkon shtimin e tyre. (A2 Televizion)