
Sipas gjetjeve të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbetjet plastike janë një problematikë e përhapur në një pjesë të konsiderueshme të territorit të vendit.
KLSH ia atribuon keqmenaxhimin disa faktorëve siç janë mungesa e programeve parandaluese, moskryerja e diferencimit në burim, mospasja e planeve vendore për menaxhimin e integruar të mbetjeve, mungesën e një VKM-je të posaçme e cila të përcaktojë përgjegjësitë ndaj ndotësve, si dhe mungesa e të dhënave reale mbi sasinë e plastikës.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, mungesa e buxheteve të mjaftueshme sjell rrjedhimisht pamundësi për të menaxhuar ashtu siç duhet mbetjet në përgjithësi dhe plastikën në veçanti.
Në raportin e auditit, KLSH kërkon nga Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, ato të linjës si dhe institucionet e tjera të pushtetit qendror e vendor më shumë bashkëpunim në mirë-menaxhimin e mbetjeve plastike, duke i cilësuar këto të fundit si një “problematikë e mbartur dhe serioze”. (A2 Televizion)