Raporti i PE për Shqipërinë, Balla: Dështimi i hapjes së negociatave rrezik serioz për zgjerimin e BE

Nga A2 CNN
22 Prill 2022, 13:36 | Politikë
Raporti i PE për Shqipërinë, Balla: Dështimi i hapjes

Nënkryetari i Këshillit Kombëtar për Integrimin, Taulant Balla, njëherësh drejtues i grupit parlamentar socialist, ka përshëndetur miratimin e raportit të PE-së për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si vlerësim ndaj progresit të vendit.

“Me fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, vendet anëtare të BE-së do të dëshmojnë unitetin europian, duke pranuar rëndësinë e implikimeve gjeopolitike dhe përmbushjen e kritereve të zgjerimit. Raporti vlerëson progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE në vitin 2021, eurodeputetët anëtarë të Komitetit të Punëve të Jashtme vlerësojnë orientimin strategjik dhe angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj integrimit evropian”, tha Balla.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Balla ngre dhe shqetësimin për “ngecjen” e këtij procesi që thotë se përbën rrezik edhe për vetë Unionin.
“Eurodeputetët shprehin keqardhje për dështimin e hapjes së negociatave të vonuara të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar solidaritetin dhe simpatinë e plotë me qytetarët e këtyre vendeve. Ky dështim minon qëndrimet e publikut ndaj BE-së dhe është një rrezik serioz për politikën e zgjerimit të BE-së në tërësi, sipas raportit. Eurodeputetët theksojnë se të dyja vendet kanë përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli Europian”, shtoi Balla.

Rezoluta e Parlamentit Europian u komentua të enjten dhe nga kryetarja e Këshillit Kombëtar për Integrimin, Jorida Tabaku, e cila deklaroi se ngecja në proceset integruese për vendin është pasojë e keqqeverisjes dhe jo e vetos bullgare.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos