Real Madrid e PSG, betejë për një vend në çerekfinale

Nga A2 CNN
9 Mars 2022, 12:49 | Futboll
Real Madrid e PSG, betejë për një vend në çerekfinale

Dy skuadra të tjera do të presin mbrëmjen e kësaj të mërkure biletat drejt çerekfinaleve të Champions League. E gjithë vëmendja do të jetë e përqendruar në Santiago Bernabeu, në supersfidën ndërmjet Real Madrid dhe Paris Saint Germain.

Misioni i madrilenëve nuk është aspak i thjeshtë pasi ndeshja e parë përfundoi 1-0, me golin e shënuar nga Kilian Mbappe në fundin e lojës. Megjithatë, skuadra e Carlo Ancelottit do të provojë deri në fund të kualifikohet.

Mungesa të sigurta për teknikun italian janë Mendy dhe Casemiro. Dy futbollistët janë të pezulluar për shkak të kartonëve dhe i kanë komplikuar planet e drejtuesit të stolit, përballë superfuqisë ofensive të parizienëve.

Pavarësisht situatës në të cilën ndodhet Reali, Ancelotti beson se i ka gjetur lëvizjet për t’i zëvendësuar këta lojtarë. Me shumë mundësinë vend të Casemiros në mesfushë do të luaj Camavinga, i favorizuar ndaj Valverde. Në vendin e Mendy pritet të aktivizohet Alaba.

Te francezët, lajmi i mirë është grumbullimi i Mbappe, i cili ishte në dyshim për shkak të një dëmtimi të pësuar në stërvitje pak orë më parë. Pas kontrolleve të specializuara mjekët dhanë dritën jeshile për sulmuesin që pritet të ketë sërish një rol protagonisti.

Në sfidën tjetër të mbrëmjes, Manchester City do të formalizojë kualifikimin përballë Sportingut. Anglezët nisen nga fitorja e madhe 5-0 në ndeshjen e parë në Lisbonë, megjithatë një trajner si Pep Guardiola nuk do ti lejojë asnjëherë ekipit mos të hyjë në fushë për fitore.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos