Real Madrid merr kreun e kampionatit falë dyshes Asensio-Lucas Vazquez

Nga A2 CNN
2 Janar 2021, 22:49 | Futboll

Real Madrid nisi mbarë vitin 2021, duke mposhtur 2-0 Celta Vigo-n, e duke u ngjitur përkohësisht në krye të renditjes së kampionatit spanjoll.

Vendasit e dominuan kundërshtarin që në fillim, por protagonisë të takimit u bë dyshja Asensio-Lucas Vazquez, pasi secili shënoi nga një gol, duke i dhënë asistet njëri-tjetrit.

Vazquez shënoi që në të 6' me kokë pas një krosimi të Asensio-s, vetëm pak sekonda pasi Celta rrezikoi të shënonte e para.

Skuadra e Zidane e kontrolloi ndeshjen, pavarësisht përpjekjeve të miqve për të reaguar. Në të 53' erdhi edhe goli i dytë, që vulosi fitoren. Këtë herë ishte Vazquez që bëri një aksion të mirë individual, për të shërbyer më pas për Asensio-n, i cili nuk gaboi.

Në minutat e mbetura, Celta nuk rrezikoi asnjëherë të shënonte, ndërsa Real-i administroi fitoren.

Madrilenët tani kanë 36 pikë në 17 ndeshje të luajtura, ndërsa Atletico ka 35 pikë, por 3 ndeshje më pak. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos