
Paralelisht me Komisionin e Posaçëm, opozita e bashkuar diskutoi ne selinë blu propozimet e saj për reformën zgjedhore. Grupi i punës, i drejtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, ra dakord për dy produkte, financimi i partive dhe administrimi zgjedhor.
Tek administrimi zgjedhor, opozita përfshin numërimin dhe votimin elektronik, por pa detajuar afate apo pilotim. Sa i përket financimit të partive politike, opozita propozon rritje te rolit te financimit shtetëror dhe ulje të financimit provat. Propozimi parashikon ulje ne masë drastike të shpenzimeve të fushatës dhe rritje të transparencës dhe monitorimit të burimeve të financimit dhe shpenzimeve të partive politike.
Gjatë komunikimit me gazetarët, Bardhi përsëriti se opozita nuk tërhiqet nga propozimi për një strukturë të posaçme për reformën zgjedhore, ndonëse ajo iu refuzua nga vetë ndërkombëtarët. Kur A2 e pyeti atë se si do t’i përcilleshin mazhorancës këto propozime, Bardhi foli për një produkt të përbashkët me socialistët, por pa gatishmërinë për ta diskutuar atë.
“Detyra e palës tjetër është të mendojë për interesin e qytetarëve, dhe të pranojë atë mekanizëm bashkëpunimi që kemi propozuar për të pasur një produkt të përbashkët”, tha Bardhi. “Fazat edhe ndarja nuk ka asnjë rëndësi. Qytetarët duan që të jetë vullneti i tyre që përcakton qeverisjen e vendit”.
Opozita e bashkuar do të zhvillojë një tjetër mbledhje të hënën për të vijuar me propozime të tjera për reformën zgjedhore. (A2 Televizion)