
Ka përfunduar mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Reformës Zgjedhore, ku deputetët u njohën me përmbajtjen e draftit të përpiluar nga ekspertët.
Deputetët e opozitës kërkuan të dinë se përse në draft nuk është përfshirë depolitizimi i administratës zgjedhore në përmbajtje. Lidhur me këtë shqetësim, ekspertët dhe bashkë kryetari i komisionit, Damian Gjiknuri shpjeguan se ky është vetëm fillimi.
“Projekti ka disa propozime të guximshme, dhe radikale, duke e kthyer “de facto” Qeverinë, gati në qeveri gjysmë teknike, sepse ndalohet gjashtë muaj para zgjedhjeve aktiviteti i mirëfilltë politik”, tha Gjiknuri.
Megjithatë, opozita këmbënguli se nuk do të votojë asnjë draft pa pasur në të ndryshimin e sistemit në përmbajtje. Mbledhja e radhës do të zhvillohet javën e ardhshme. “Ne kemi rënë dakord që ata të vijnë me një propozim për sistemin zgjedhor dhe ai të diskutohet”, tha Gjinkuri.
Sa i përket propozimeve të bërë nga opozita, që ka ngritur grupin e saj të punës, Gjinkunri tha se pavarësisht se ata nuk e njohin komisionin, fakti që po punojnë është gjë e mirë. “Nëse përgatisin draftet e tyre, duke ja dhënë edhe OSBE-së, ne i marrim dhe ne do të bëjmë çmos që çdo propozim i opozitës që është në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, do t’i marrim parasysh dhe mbase do të jetë një rast i rrallë ku dakordësia e kodit zgjedhor do të shtrihet edhe me partitë jashtë parlamentare”, u shpreh Gjiknuri.
Gjiknuri tha se synimi i komisionit dhe shumicës është që paketa të mbyllet dhe të miratohet brenda muajit dhjetor. (A2 Televizion)