
Demokratët nuk e shikojnë të nevojshme ndryshimin e formulës politike mbi të cilën ndahen postet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso merr si shembull reformën në drejtësi për të shpjeguar përse propozimi i socialistëve nuk do funksiononte.
“Eksperienca e reformës në drejtësi, ku po shohim vështirësi të bashkëveprimit të shumë institucioneve të ngritura, të shumë hallkave të ngritura, me njëra-tjetrën. Pra një komplikim të skemës së funksionimit të institucioneve, më bëjnë skeptik, që një skemë e tillë, sado e mirë që të duket në letër, në kushte shtrëngimesh kohore, stresi do të mund të funksiononet mirë”, tha Ivi Kaso.
Për t’i dhënë besim menaxhimit të procesit, sipas Kasos, mjafton ndryshimi i emrave aktualë.
“Në situate normale, në zgjedhje normale, problematikat kryesore të zgjedhjeve nuk kanë pasur të bëjnë me mënyrën e kompozimit të KQZ, duke u pranuar në thelb nocioni i një administrate zgjedhore, duke filluar nga KQZ dhe përfunduar në KQV të një administrate politike dhe politikisht të balancuar”, shtoi Ivi Kaso
Ajo çka bën bashkë mazhorancën dhe opozitën duket se është zbatimi i elektronikës. Sekretari demokrat i ka idetë të qarta se kur mund të nisë zbatimi.
“Në momentin që KQZ funksiononte normalisht është bërë një punë e madhe për të dakordësuar blloqet kryesore mbi të cilët do të mbështetej zgjidhja, qoftë edhe teknike, e votimit dhe numërimit elektronik, për të cilën ekspertët teknikë, të të dyja palëve kanë bërë një punë të konsiderueshme. Dhe ajo çka ekspertët e opozitës po bëjnë sot është veçse po i japin vijim asaj punë të konsiderueshme që është bërë dhe në nivel ekspertize. Besoj që teknikisht është e mundshme që duke përfshirë zgjedhjet më të afërta, besoj që korniza ligjore do të jetë gati dhe zgjidhjet teknike po ashtu”, përfundoi Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso.
Sekretari për Çështjet Zgjedhore, njëherësh drejtues i një prej ekipeve të punës të opozitës për reformën zgjedhore thotë se drafti do të jetë së shpejti gati. Por propozimet e Selisë Blu edhe një herë mazhoranca do t’i njohë përmes palëve të treta, që me gjasë do jenë tryezat e ndërkombëtarëve. (A2 Televizion)