
Reforma Zgjedhore ishte tema kryesore e diskutimit mes Partisë Demokratike dhe aleatëve. Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, tha se nga takimi i sotëm palët janë dakordësuar për propozimet që do të bëjnë për dy çështje kryesore, si financimi i partive politike dhe fushata zgjedhore, dhe administrimi zgjedhor.
“Ne e kemi propozuar një mekanizëm për të bashkëpunuar me palën tjetër. Në fakt duhet të ishte Qeveria të kërkonte bashkëpunimin e opozitës në realizimin e këtij kushti. Bundestagu e ka bërë të qartë që kërkon një reformë zgjedhore me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike”, tha Bardhi.
Ai akuzoi socialistët që nuk kanë interes të përmbushin këtë kusht të vendosur nga ndërkombëtarët. “Detyra e palës tjetër është të mendojë për interesin e qytetarëve, për hapjen e negociatave, të tregojë përgjegjshmëri para kushteve dhe kritereve të vendosura nga partnerët dhe të pranojë mekanizmin që kemi propozuar. E kundërta do të ishte thellim i krizës, tregues i papërgjegjshmërisë dhe prova e fundit që tregon se Edi Rama nuk dëshiron integrimin europian të Shqipërisë”.
I pyetur në lidhje me propozimin e socialistëve për ndarjen në dy faza të reformës, Bardhi tha: “Qytetarët duan që të jetë vullneti i tyre që përcakton qeverisjen e vendit dhe jo si ka qenë deri tani që qeverisjen e përcaktojnë paratë e pista apo përfshirja e krimit të organizuar”. (A2 Televizion)