Reformim i policisë, por si?

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2020, 21:13 | Aktualitet
Reformim i policisë, por si?

Gjergji Vurmo, nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, ishte i ftuar në “Ditari” në A2 për të komentuar kërkesat e protestuesve për largimin e drejtorit të Policisë së Shtetit dhe reformimin e policisë.

“Pavarësisht nëse ikën ky drejtor policie, ne nuk kemi garanci aspak se Policia e Shtetit do të reformohet vërtet. Ne mund të heqim Ardi Veliun sot, por kuadri ligjor për policinë nuk na jep garanci për drejtorin pasues. Që kjo të zgjidhet në mënyrë sa më të qëndrueshme, po ju jap shembullin e kryetarit të SHISH-it. SHISH është një nga institucionet më të vlerësuara nga ndërkombëtarët. Ky institucion ka një mekanizëm balancues për emërimin dhe shkarkimin e kryetarit. Nuk është ekskluzivitet vetëm i një institucioni, por është një kompetencë e ndarë mes Presidentit dhe kryeministrit. Është strukturë që i jep llogari të dyve”, tha Vurmo.

“Nuk po them që me patjetër duhet të kopjojmë këtë mekanizëm për zgjedhjen e drejtorit të Policisë së Shtetit sepse nuk është vetëm çështja kush e zgjedh, por kujt i jep llogari ky drejtor”, shtoi Vurmo.

Ai shton se drejtori i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA), i cili duhet të kontrollojë Policinë e Shtetit, emërohet nga ministri i Brendshëm. Pra, duhet të kontrollojë strukturën, drejtorin e të cilës e emëron sërish ministri i Brendshëm. Duhet menduar edhe një mekanizëm tjetër emërues për kreun e SHÇBA-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos