
Kryeministri Albin Kurti flet për çështjen e strehimit të shtetasve afganë në Kosovë, për të cilën siç thotë do të koordinohen me shtetet e bashkuara. Kurti ka thënë se përveç aspektit të solidaritetit, strehimi i tyre ka të bëjë edhe me aleancën me Shtetet e Bashkuara, që i konsideron partner strategjik dhe të pazëvendësueshëm për Kosovën.
"Çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani është dimension i aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne i kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës aleatin kryesor dhe partnerin strategjik të pazëvendësueshëm dhe çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani përveç aspektit të solidaritetit humanist nga ana jonë e ka gjithashtu edhe dimensionin e aleancës dhe partneritetit me shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Kurti sqaroi se kanë një muaj qe po merren më çështjen dhe se janë formuar ekipe të posaçme.
“Ne jemi shtet serioz, tash e një muaj jemi marr pa zhurmë me çështjen e refugjatëve nga Afganistan. Ka një muaj që Qeveria e Republikës së Kosovës është në kontakt, komunikim dhe bashkëpunim të rregullt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të përgatitur në aspektin organizativ, logjistik, teknik por edhe të sigurisë e social strehimin dhe mbrojtjen e një numri të refugjatëve nga Afganistani. Ne jemi shtet serioz dhe tash e një muaj këtë punë e kemi bërë pa zhurmë dhe me shumë kujdes meqenëse çështja e refugjatëve nga Afganistani është jo vetëm një çështje e dhimbshme njerëzore por edhe një çështje e ndjeshme e sigurisë”.
Sakaq, kryeministri tha për mediat se hollësitë e strehimit dhe mbrojtjes së refugjatëve nga Afganistani janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se shifrat, kohëzgjatja e dhe vendi i strehimit do të bëhen të ditura me vonë. (A2 Televizion)