Regjistrimet e fëmijëve që hyjnë në klasë të parë nuk do të bëhen më në shkolla, por online. Nga 15 qershori deri në fund të këtij muaji prindërit duhet të aplikojnë në portalin e-albania për të regjistruar fëmijët që këtë vit shkollor nisin klasën e parë.
Drejtoresha e këtij portali sqaron për A2 se si do të bëhet aplikimi për shkollat më të mëdha të 12 qarqeve të vendit.
"Çdo prind, apo kujdestar ligjor duhet të hyjë në llogarinë e tij në portal. Të plotësojë formularin e aplikimit, të përzgjedhë me saktësi njësinë administrative, rrugën dhe shkollën që shfaqet nga sistemi elektronikisht sipas ndarjes së bërë nga Ministria e Arsimit dhe Bashkitë".
Por regjistrimi përmes portalit do të krijojë jo pak probleme veçanërisht në Tiranë. Prindërit nuk kanë më mundësi të zgjedhin shkollën apo mësuesin e klasës së parë, pavarësisht se institucioni arsimor mund të ndodhej larg vendbanimit. Sipas drejtuesve të portalit e-Albania prindërit detyrimisht duhet të regjistrojnë fëmijët brenda2 javëve në shkollën që u nxjerr sistemi.
"Sistemi të lejon të regjistrohet vetëm në shkollën që të sugjerohet në bazë të adresës së deklaruar në regjistrin kombëtar të adresës".
Regjistrimi online do të shmangë dorëzimin e një sërë dokumentash në sekretaritë e shkollave , por ka shtuar stresin e prindërve të cilët janë të detyruar të pranojnë çfarë ju ofron sistemi ose t’i drejtohen shkollave private. (A2 Televizion)