
Dy prokurorë të Prokurorisë së Tiranës janë dorëhequr nga detyra. Burime pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë konfirmuan se prokurorët, Granit Shahu dhe Anila Galanxhi kanë depozituar kërkesa për dorëheqje nga funksioni i prokurorit.
Dy kërkesat në fjalë pritet të shqyrtohen nga KLP në mbledhjen e datës 18 qershor. Sipas burimeve, dorëheqjet janë motivuar me çështje personale të dy prokurorëve. Asnjëri prej të dyve nuk kishte kaluar në veting.
Më herët, në vitin 2017 Granit Shahu ka qenë kandidat për pozicionin e kryeprokurorit të përkohshëm. Ndërsa prokurorja Galanxhi ishte pranë vlerësimit nga vetingu. Hetimi administrativ ndaj saj kishte përfunduar, por ajo ende nuk ishte përballur me trupën e KPK. Dy prej seancave të planifikuara ishin shtyrë për shkak të raporteve mjekësore të prokurores, ndërsa seanca e tretë për shkak të dorëheqjes së saj. (A2 Televizion)