
Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Edi Reja deklaroi se ndeshja ndaj Turqisë është mundësia e fundit e kuqezinjve për të shkuar në Evropian.
“E dimë shumë mirë që kjo është mundësia e fundit për të shkuar në Evropë. Ambienti është gati për të marrë një fitore ndaj Turqisë. Barazimi nuk na intereson. I vetmi objektiv është të bëjmë një ndeshje sa më pozitive për të marrë një rezultat pozitiv, që është fitorja. Do të shkojmë në Turqi me besim. Dihen vlerat e lojtarëve të Turqisë, të cilët kanë cilësi të madhe dhe marrin pjesë në Kupat e Evropës. Ne po krijojmë një grup të rëndësishëm që mund të marrim rezultate kudo. Shkojmë me bindjen që mund të bëjmë lojën tonë”, tha trajneri italian në konferencë për shtyp.
Në lidhje me mungesën e kapitenit Mavraj në listën për dy ndeshjet e radhës, Reja tha: “Kam folur me Mavrajn. Ka për të bërë një operacion në krah dhe më ka kërkuar pushim. Do ta grumbulloj radhës tjetër. E di që do pyesni edhe për Sadikun. Ka kërkuar pushim për probleme familjare. Xhaka nuk është grumbulluar, kam folur, i kemi sqaruar. Dua të njoh lojtarët e rinj. Nuk më pëlqen të grumbulloj 27 lojtarë. Me lojtarët me vlera nuk dua të krijoj situata të pakëndshme duke i dërguar në tribunë. Dua t’u jap minuta lojtarëve që të tregojnë vlerat e tyre, duke provuar sa më shumë”. (A2 Televizion)