
Ekipi i Milanit ka mundur të marrë një fitore të mundimshme në transfertën e vështirë përballë Genoas. Kuqezinjtë e kanë nisur në mënyrën më të keqe këtë kampionat dhe një fitore në këto momente ishte shumë e rëndësishme për ta.
Edhe kjo ndeshje nisi keq për miqtë, të cilët u panë që në minutat e para se synonin ta fitonin atë. Vendasit kaluan të parët në avantazh në pjesën e parë të takimit falë një goditje dënimi nga distanca e Lasse Schone i cili gjeti të papërgatitur dhe portierin Reina.
Në pjesën e dytë, Milan vijoi presingun dhe në minutën e 52 arriti të barazojë me anë të Hernandez. Pesë minuta më vonë, falë ndërhyrjes së VAR, kuqezinjtë fituan dhe një penallti për një top të prekur me dorë, e cila u shndërrua në gol nga Kessie.
Në minutën e 90 është Genoa ajo që kësaj radhe fiton një 11 metërsh, por portieri Reina lau gabimin e pjesës së parë duke e pritur goditjen nga pika e bardhë e Lase Schone. Momentalisht Milani renditet në vendin e 11-ë të klasifikimit me 3 fitore dhe 4 humbje. (A2 Televizion)