Restaurim i ngadaltë, tërmeti vijon të ''mbajë peng'' sitet arkeologjike

Nga A2 CNN
17 Qershor 2021, 12:13 | Aktualitet
Restaurim i ngadaltë, tërmeti vijon të ''mbajë

Sitet arkeologjike, një nga destinacionet që tërheqin më së shumti elitën e turistëve të huaj, që vizitojnë Durrësin edhe këtë vit nuk do të jenë pjesë e giudave turistike.

Dëmet e shkaktuara nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 vijojnë ende të japin pasojat e tyre negative.

Një prej këtyre destinacioneve është muzeu etnografik i Durrësit që njëkohësisht është dhe shtëpia muze e aktorit të mirënjohur durrsak Aleksandër Moisiu.  Që pas tërmetit ajo ka mbyllur dyert për vizitorët vendas apo të huaj, në pritje të restaurimit.

Ndoshta e vetmja shtëpi karakteristike durrsake e shekullit të 19-të që dikur është ruajtur me fanatizëm, duke u shpallur monument kulture, tashmë duket e lënë totalisht në harresë.

Ky sezon turistik veror do të privojë turistët  e huaj dhe vendas për të vizituar nga afër edhe të tjera destinacione të trashëgimisë kulturore, pasi ose kanë nisur nga puna restaurimi ose janë në pritje të tij.

Drejtori i qendrës Muzeore në Durrës, Alban Ramohitaj, tregon për A2 se procesi është i një rëndësie të veçantë dhe për rrjedhojë është edhe i ngadaltë edhe për faktin që financimi bëhet nga organizmat ndërkombëtare.

E derisa projektet të bëhen realitet, për turistët që do të vizitojnë Durrësin këtë vit do të kenë një guidë më të varfër dhe më pak destinacione për të vizituar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos