
Ambasadorja e Shqipërisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka rezultuar pozitive me koronavirus, pas testimit të bërë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasadorja Floreta Faber tha se ka marrë përgjigjen pozitive të testit pasi u kthye në Washington nga Shqipëria. Ajo fton, gjithashtu, të gjithë qytetarët që të mbajnë maskën.
“Sot u ktheva nga Shqipëria pas një udhëtimi pune dhe pasdreke arrita në Uashington. Sapo zbrita në aeroport, si masë profilaktike bëra testin e Covid-19. Përgjigja ishte POZITIV.
Ju njoftoj nëpërmjet këtij mesazhi, pasi këto ditë kam zhvilluar shumë takime pune me mjaft zyrtar dhe kolegë, si dhe kam takuar pa fund shokë e miq, familjarë dhe njerëz të afërm, të cilët nuk i njoftoj dot një nga një.
Unë u testova negativ ditën kur u nisa drejt Shqipërisë. Në çdo ambient apo takim, zyrtarë apo miqësor, kam mbajtur maskë dhe kam ruajtur distancën e kërkuar, por qartësisht jo mjaftueshëm.
Mos i hiqni në asnjë moment maskat. Uroj më të mirën për secilin nga ju”, shkruan Faber në rrjetet sociale. (A2 Televizion)