Fernando de Noronha, parajsa braziliane me ujëra të kaltra dhe rërë të artë, ka hapur dyert për turistët, por duke pranuar të mirëpresin vetëm ata persona të cilët e kanë kaluar koronavirusin.
Autoritetet lokale bëjnë me dije se turistët mund të pushojnë në plazhet e zonës duke nisur nga java e ardhshme.
“Që të lejohesh të zbresësh në Fernando de Noronha, duhet të jesh i pajisur me përgjigjen e testit PCR, i njohur ndryshe si testi i tamponit, i kryer ky në 20 ditët e fundit, ose të jesh i pajisur me rezultatet e testit serologjik që tregon prezencën e antitrupave për Covid-19”, bëri me dije Guilherme Rocha, përfaqësues i pushtetit lokal.
Rocha nuk dha detaje të mëtejshme mbi këtë vendim të Brazilit për të pranuar vetëm turistë të cilët e kanë kaluar tashmë virusin. Fernando de Noronha, një grup prej 21 ishujsh vullkanikë, ishte izoluar që në mesin e muajit mars me nisjen e pandemisë. Më 31 korrik u lejuan të kthehen vetëm ata persona të cilët kanë banesa në këto ishuj.
Arkipelagu është më i vizituari në Brazil. Vitin e shkuar ai u vizitua nga 106 mijë turistë, pjesa më e madhe brazilianë. Në vitin 2001 ai u shpall zonë e trashëgimisë botërore nga UNESCO. (A2 Televizion)