
Analistja Edlira Gjoni, e ftuar në Absolut 4 komentoi rihapjen e hetimeve për “21 janarin”, duke u shprehur se koha kur është hapur kjo çështje është pak e çuditshme, duke qenë se vjen menjëherë pas vendimit të DASH për t’i ndaluar ish-kryeministrit Berisha hyrjen në SHBA.
“Ky është një zhvillim që duhet të ndodhte, sepse nuk janë vënë pikat mbi “i” për 21 janarin. Se ku do të çojë dhe se sa i drejtë do të jetë procesi, këtë nuk e di, por kjo është një çështje me kapak të hapur. Kemi vite që vazhdojmë ta përdorim në diskursin politik. Është pak e çuditshme koha kur kjo çështje është rikthyer, duke dëmtuar më së shumti njërin krah në Shqipëri”.
Më tej, Gjoni u shpreh se kjo çështje nuk përfshin të njëjtën palë. “Nuk duhet gjetur vetëm njeriu që shtiu mbi njerëzit, por kush urdhëroi, si dhe kush i çoi njerëzit aty dhe shkoi të pinte kafe. Kjo çështje është më komplekse se kaq. Duhet të mësojmë se çfarë e solli 21 janarin. Unë besoj se është një sinjal se kjo çështje nuk ka për të mbetur me kapak të mbyllur”, u shpreh Gjoni. (A2 Televizion)