
Në konferencën e përbashkët me Ministrin gjerman të Shtetit për Europën, Michael Roth, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria është vendi më i përshtatshëm në Europë për të ardhur për pushime.
Duke risjellë në vëmendje replikat në distancë me ministrin gjerman të Shëndetësisë, Jens Spahn, Rama tha se situata është ndryshe nga çfarë mund të perceptohej duke lexuar deklaratat e ministrit gjerman.
“Dua të falënderoj publikisht ministrin për të gjithë mbështetjen, jo vetëm për këtë temë, por në tërësi që kemi pasur nga Gjermania. Uroj shumë që në këtë sezon veror ne të kemi sa më shumë turist nga gjermania, i thash edhe ministrit që ndryshe nga çfarë mund të perceptohej duke lexuar deklaratat e ministrit gjerman, Shqipëria sot është vendi më i përshtatshëm në Europë për të ardhur për pushime.”, u shpreh Rama.
Kujtojmë se në një prononcim për median Bild, kreu i qeverisë shqiptare kritikoi deklaratat e ministrit gjerman, i cili tha se gjysma e infeksioneve me Covid-19 në Gjermani verën e kaluar erdhën si shkak i vizitave familjare nga emigrantët në Ballkan.
“Është një skandal që një ministër gjerman denoncon publikisht Ballkanin. Ministri gjerman i shëndetësisë duhet të kujdeset për vaksinimin e popullsisë gjermane dhe të mos zgjojë pakënaqësi e stereotipe kundër Ballkanit”, theksoi ndër të tjera Rama. (A2 Televizion)