
Rishi Sunak u bë zyrtarisht kryeministri 57-të i Britanisë së Madhe, pasi Mbreti Charles III e ftoi të krijonte qeverinë e re. Siç e kërkon tradita në Mbretërinë e Bashkuar, është monarku ai që mandaton kryeministrin për ekzekutivin e ri, e fill pas audiencës së parë në Pallatin Mbretëror, Sunak iu drejtua zyrës së tij për të mbajtur fjalimin e parë si kryeministër.
Ai falënderoi Boris Johnson për ato që i quajti arritje të jashtëzakonshme, ndërsa tha se ishte zgjedhur nga konservatorët për të ndrequr disa prej gabimeve të paraardhëses Liz Truss. Britania, paralajmëroi ai, përballet me një krizë të thellë ekonomike. “Aktualisht vendi ynë përballet me një krizë të thellë ekonomike. Pasojat e Covid-19 janë ende të ndjeshme. Lufta e Putinit ka destabilizuar tregjet e energjisë dhe zinxhirët e furnizimeve rreth botës. Liz Truss nuk kishte faj që dëshironte të përmirësonte rritjen ekonomike. Ky është një qëllim fisnik por disa gabime u bënë. Unë u zgjodha të udhëheq konservatorët, pjesërisht për t’i ndrequr këto gabime dhe puna do të fillojë menjëherë”, tha Sunak.
42-vjeçari bëhet kryeministri më i ri në moshë i Britanisë së Madhe, në më shumë se 200 vjet, i pari me ngjyrë dhe me origjinë indiane.
Sakaq, paraardhësja e tij Liz Truss u bë zyrtarisht kreyministrja më jetëshkurtër në historinë e vendit. Në një fjalim të shkurtër lamtumire ajo mbrojti trashëgiminë e saj të uljes drastike të taksave duke thënë se udhëheqësit duhet të tregohen të guximshëm. “Nga koha ime si kryeministre, jam më e bindur se kurrë se duhet të tregohemi të guximshëm dhe të përballemi me sfidat që kemi përpara. Siç ka thënë filozofi Seneka: ‘Jo sepse gjërat janë të vështira ne nuk guxojmë, por sepse ne nuk guxojmë ato janë të vështira’”.
Pas fjalimit të parë të Sunak si kryeministër, ish-shefi i tij, Boris Johnson i përcolli urimet e tij përmes një mesazhi në Twitter dhe i kërkoi konservatorëve të mbështesin plotësisht 42-vjeçarin. (A2 Televizion)