“Rithemelimi” tha se Rama mbështet Bashën në Lushnjë, Bardhi: Shpifje, kandidati i tyre ka punuar kundër PD

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2022, 17:31 | Politikë
“Rithemelimi” tha se Rama mbështet Bashën në

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, reagoi pas akuzave nga Komisioni i Rithemeleimit, se Rama dhe Balla kanë mbështetur kandidatin Indrit Sefa, të PD zyrtare, për të fituar Bashkinë e Lushnjës në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

“Koalicioni LSI - PDK në Lushnjë paska shpifur sot kundër PD. Demokratët e Lushnjës e kanë të qartë se kush i ka shërbyer Edi Ramës në Lushnjë që nga 2007. Faktet më poshtë po i listoj për çdo demokrat në Shqipëri, se demokratët e Lushnjës janë të qartë:

Është fakt që kandidati i LSI+PDK Elton Ilir Bano në 2007 ka punuar për kandidatin e LSI për Bashkinë Lushnje Albert Sanxhaku kundër kandidatit të PD Florian Dani.

Është fakt që kandidati LSI -PDK Elton Ilir Bano  në 2011 ka këmbëngulur dhe mbështetur që Bashkia Lushnjë t’i lihen zonë e lirë LSI.

Është fakt që kandidati LSI-PDK Elton Ilir Bano në 2013 ka punuar për LSI duke mbështetur ardhjen në pushtet të Edi Ramës.

Është fakt se kandidati LSI-PDK Elton Ilir Bano në 2015 ka mbështetur kandidatin e PS-LSI Fatos Tushe kundër kandidatit të PD Darien Xhindoli.

Është fakt që kandidati LSI-PDK Elton Ilir Bano në vitin 2017 ka punuar hapur për kandidaten e Partinē Socialiste Tatiana Pirro duke mbështetur qëndrimin në pushtet të Edi Ramës.

Është fakt që në 2022 kandidati i LSI-PDK Elton Ilir Bano po shërben si oksigjen për kandidaten e Edi Ramës në Lushnjë në dëm të demokratëve lushnjarë dhe Partisë Demokratike.

Strehimi i Elton Ilir Banos në “Shtëpinë e Ilirit” dhe LSI nuk  është lajm i ri për demokratët e Lushnjës; është thjesht bashkëpunimit i radhës! Ndërkohë që demokratët e Lushnjës janë bashkë, në shtëpinë e tyre - Partinë Demokratike, në mbështetje të kandidatit të PD Indrit Sefa, kundër Edi Ramës dhe kandidates së Taulant Ballës në Lushnjë", tha Bardhi.

https://a2news.com/2022/02/09/rithemelimi-rama-dhe-balla-kane-dale-hapur-sot-ne-mbeshtetje-te-bashes/

Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, i cili në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, garon në siglën e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, akuzoi socialistët që po bëjnë fushatë për Bashën në Lushnjë.

“Balla deklaroi publikisht atë që deri dje mbahej e fshehur: aleancën e pazareve me Fraksionin e Vulës. Për çdo demokrat në Lushnjë dhe në të gjithë Shqipërinë, ka qenë e qartë prej kohësh se Basha e kishte lënë peng PD-në dhe opozitën në duart e Edi Ramës. Opozita e vërtetë, Shtëpia e madhe e Lirisë që ka ndezur kudo shpresën dhe besimin, i ka detyruar pazarxhinjtë që tashmë të dalin hapur. Prandaj më 6 mars të votojmë për t’i rikthyer Shqipërisë opozitën e vërtetë dhe shqiptarëve, shpresën!”, tha zëdhënësja Floriana Garo.

Në Lushnjë, “Shtëpia e Lirisë” garon me Elton Banon, përballë Indrit Sefës së PD-së zyrtare dhe Eriselda Sefës të socialistëve. Ndërsa në Bashkinë më të madhe në veri të vendit, Shkodrën, “Rithemelimi” do të garojë me Bardh Spahinë. Në Bashkinë e Durrësit, Komisioni i Rithemelimit do të garojë me inxhinierin e urbanistikës, Ardian Muka. Hekuran Xhani është kandidati për Rrogozhinën, ndërsa Lulzim Vrana për Vorën dhe Premtim Kryemadhi për Dibrën.

Ndërsa PD-ja zyrtare ka vendosur si kandidat për Bashkinë e Dibrës, për zgjedhjet e 6 marsit, Luan Hakën. Në Durrës, kandidat është Luan Hoti, në Rrogozhinë kandidati është kryetari i kësaj dege, Ferdinant Saraçi, në Shkodër Xhemal Bushati dhe për bashkinë e Vorës, kandidon Ymer Marku.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka vendosur të kandidojë në Durrës me Emirajana Sakon, aktualisht kryetare në detyrë e Bashkisë. Socialistët gjithashtu kanë vendosur të garojnë në Shkodër me një tjetër grua, Majlinda Angonin, aktualisht prefekte të qarkut Shkodër. Për Bashkinë Dibër, PS-ja garon me Rrahim Spahiun, ndërsa në Rrogozhinë, me Edison Memollën, aktualisht kryetar i komanduar. Për Bashkinë e Vorës, PS-ja kandidon arsimtarin Blerim Shera, ndërsa e fundit që u zgjodh ishte kandidatja për Bashkinë e Lushnjës, Eriselda Sefa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos