
Rritja e çmimit të energjisë ishte objekt debati edhe në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë. Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se partia e tij ka kërkuar mbajtjen e seancës, duke e konsideruar vendimin si diskriminues dhe politik. Ndërsa kritikoi mos praninë e deputetëve të Vetëvendosjes në seancë, Tahiri paralajmëroi se do ta çojnë vendimin në Gjykatë Kushtetuese.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se deputetët e kësaj partie nuk kanë qenë të njoftuar për mbajtjen e kësaj seance.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka konsideruar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji si agjendë të qeverisë Kurti që i ka ndarë qytetarët në subjekte të pabarabarta. Memli Krasniqi
“Kjo Zyrë nuk mori vendim të pavarur, por vetëm e vulosi një vendim politik, të propozuar në kurriz tëqytetarëve nga mazhoranca e këtij Kuvendi, që sot ik edhe prej debatit”, tha Memli Krasniqi.
Përveç anulimit të vendimit për tarifat e reja, Krasniqi ka kërkuar edhe shkarkimin e anëtarëve të bordit të ZRRE-së. Edhe kryetari i AAK, Ramush Haradinaj i bëri thirrje qeverisë të shfuqizojë vendimin ndërsa me ndërrimin e sezoneve pritet të ulet edhe konsumi. (A2 Televizion)