
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, i cili në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, garon në siglën e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, akuzoi socialistët që po bëjnë fushatë për Bashën në Lushnjë.
“Balla deklaroi publikisht atë që deri dje mbahej e fshehur: aleancën e pazareve me Fraksionin e Vulës. Për çdo demokrat në Lushnjë dhe në të gjithë Shqipërinë, ka qenë e qartë prej kohësh se Basha e kishte lënë peng PD-në dhe opozitën në duart e Edi Ramës. Opozita e vërtetë, Shtëpia e madhe e Lirisë që ka ndezur kudo shpresën dhe besimin, i ka detyruar pazarxhinjtë që tashmë të dalin hapur. Prandaj më 6 mars të votojmë për t'i rikthyer Shqipërisë opozitën e vërtetë dhe shqiptarëve, shpresën!”, tha zëdhënësja Floriana Garo.
Në Lushnjë, “Shtëpia e Lirisë” garon me Elton Banon, përballë Indrit Sefës së PD-së zyrtare dhe Eriselda Sefës të socialistëve. Ndërsa në Bashkinë më të madhe në veri të vendit, Shkodrën, “Rithemelimi” do të garojë me Bardh Spahinë. Në Bashkinë e Durrësit, Komisioni i Rithemelimit do të garojë me inxhinierin e urbanistikës, Ardian Muka. Hekuran Xhani është kandidati për Rrogozhinën, ndërsa Lulzim Vrana për Vorën dhe Premtim Kryemadhi për Dibrën.
Ndërsa PD-ja zyrtare ka vendosur si kandidat për Bashkinë e Dibrës, për zgjedhjet e 6 marsit, Luan Hakën. Në Durrës, kandidat është Luan Hoti, në Rrogozhinë kandidati është kryetari i kësaj dege, Ferdinant Saraçi, në Shkodër Xhemal Bushati dhe për bashkinë e Vorës, kandidon Ymer Marku.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka vendosur të kandidojë në Durrës me Emirajana Sakon, aktualisht kryetare në detyrë e Bashkisë. Socialistët gjithashtu kanë vendosur të garojnë në Shkodër me një tjetër grua, Majlinda Angonin, aktualisht prefekte të qarkut Shkodër. Për Bashkinë Dibër, PS-ja garon me Rrahim Spahiun, ndërsa në Rrogozhinë, me Edison Memollën, aktualisht kryetar i komanduar. Për Bashkinë e Vorës, PS-ja kandidon arsimtarin Blerim Shera, ndërsa e fundit që u zgjodh ishte kandidatja për Bashkinë e Lushnjës, Eriselda Sefa. (A2 Televizion)