Votat për afatet e vetingut, flasin deputetët e PD në pritje të një qëndrimi zyrtar në seancë

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2022, 15:24 | Politikë
Votat për afatet e vetingut, flasin deputetët e PD në pritje

Njëzet e katër orë orë para se të votohet amendamenti kushtetues në parlament për zgjatjen e afatit të organeve të vetingut nënkryetari i grupit parlamentar të PD-së, Ervin Salianji ka pohuar për A2 CNN se çështja ende nuk ishte diskutuar brenda partisë.

“Kur të ketë vendimmarrje, do të ketë edhe qëndrim. Qëndrimin personal do ta them edhe pasi të merret vendimi. Një element që do të merret në shqyrtim dhe gjithçka tjetër për ecurinë e reformës në drejtësi”, thotë Salianji

Me ironi, Tomor Alizoti tregon se vendimin e kanë marrë tashmë ndërkombëtarët.

“Çfarë thonë ndërkombëtarët bëhet në këtë vend”.

Para kameras, Luçiano Boçi flet për qëndrim personal, por kalon në numrin shumës kur nënvizon respektin për ndërkombëtarët.

“Do të votoj, mënyra e votimit do të zbulohet nesër, është reformë e atyre dhe ne do t’i respektojmë ndërkombëtarët, si gjithmonë”.

Edhe aleatët e demokratëve nuk duken më të qartë. Dashamir Shehi i grupit "Aleanca për Ndryshim", pohon se ka agjendë të ngjeshur.

“Do ta diskutojmë...”, thotë Shehi.

Amendamenti kushtetues që zgjat afatin e vetingut në drejtësi, kërkon edhe votat e opozitës që të miratohet. Për sigurimin e tyre, kanë ndërhyrë vetë ndërkombëtarët, të cilët përveç negociatave private, kanë nënvizuar me qëndrime publike se ecuria e reformës në drejtësi ndikon në integrimin e Shqipërisë në BE. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos