
E ardhmja e Cristiano Ronaldos mbetet një telenovelë me shumë seri në merkaton e verës. Për portugezin kanë shfaqur interes shumë klube të mëdha europiane, si Bayern Munchen, Chelsea, Paris Saint Germain apo Barcelona.
Por, së fundmi trajneri i Manchester United, Erik Ten Hag, i ka hedhur poshtë këto zëra, duke theksuar se Ronaldo nuk është në shitje: “Cristiano Ronaldo nuk është në shitje. Ai nuk i është bashkuar akoma grupit për shkak të problemeve të tij familjare. Ne e kemi në projektin tonë, planin që ne kemi për sezonin e ri. Si mund ta bëj të lumtur atë? Këtë nuk e di, por mezi pres të punoj me të. Kam folur me të përpara nisjes së merkatos dhe kurrë nuk më ka thënë se do të largohet”.
Kontrata aktuale e Cristiano Ronaldos te Manchester United është edhe për një sezon. Ai ka mundësinë e zgjatjes për një vit tjetër. Një nga arsyet pse portugezi mund të kërkonte largimin nga skuadra është moskualifikimi në Champions League. (A2 Televizion)