Rrëmbimi i Jani Prengës, Gjykata e Posaçme dënon me burgim të përjetshëm Festim Bexhdilin

Nga A2 CNN
29 Shtator 2022, 15:29 | Kronikë
Rrëmbimi i Jani Prengës, Gjykata e Posaçme dënon me burgim

Gati tre vjet nga rrëmbimi dhe zhdukja pa gjurmë e Jani Prengës, Gjykata e Posaçme dënoi me burgim të përjetshëm një nga të akuzuarit përngjarjen.

Dënimi i rëndë u dha për Festim Bexhdilin, i vetmi i arrestuar për rastin, ish-kopshtar në kompleksin “Golden” në Shijak, vendi i fundit ku u filmua për herë të fundit trupi i Prengës.

Sipas gjykatës, i pandehuri ka marrë pjesë direkt në zhdukjen e trupit dhe ka dijeni për vendin, ndonëse nuk e ka treguar atë. Bexhdili u fajësua për “rrëmbim dhe mbajtje peng të personit”, me pasojë vdekjen, “fshehje ose asgjësim të kufomës” dhe “grup të strukturuar kriminal”.

I pranishëm në seancë, Bexhdili e priti me qetësi vendimin duke mos shfaqur asnjë reagim të jashtëm. Sipas trupit gjykues të kryesuar nga Erjon Çela, Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz 17 janarin e vitit 2020 me porosi të Dritan Rexhepajt dhe Gentian Funiqit.

Qëllimi i pengmarrjes ishte shtrëngimi i vëllezërve të tij në Angli, që dyshohej se kishin vjedhur një sasi kokaine të trafikuar nga Ekuadori në Portin e Portsmouth. Treshja gjykuese tha se veprimet e Bexhdilit ishin dokumentuar nga pamjet e një kamere sigurie në garazhin e kompleksit “Golden”, ku në momente të ndryshme, ai shfaqet duke iu sjellë rroba personave që kanë rrëmbyer dhe sjellë aty trupin e pajetë të Jan Prengës, duke sjellë një kazmë dhe një lopatë dhe pas largimit të trupit duke pastruar njollat e gjakut në mjetin e rrëmbimit. Sipas gjykatës, ndonëse nuk ka trup të viktimës, Prenga konsiderohet i vdekur, pasi nga analiza e pamjeve filmike trupi i tij për më shumë se 7 orë nuk jep asnjë shenjë jete dhe se njollat e gjakut në garazh përputhen me ADN-në e nënës së tij. Në të njëjtin vendim gjykata dha 3 vjet burg për Olsi Turjen, për akuzën e “pengimit të zbulimit të të vërtetës” dhe urdhëroi lirimin e tij nga “arresti i shtëpisë”, pasi koha e qëndrimit të tij në paraburgim ishte më e gjatë se dënimi. Për rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës SPAK akuzon edhe 5 persona të tjerë, si edhe një të gjashtë të paidentifikuar, asnjëri prej të cilëve nuk është arrestuar dhe vënë para drejtësisë. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2020/02/12/deshmia-e-vellait-zbuloi-motivin-e-pengmarrjes-se-jan-prenges/
https://a2news.com/2020/02/18/momentet-e-fundit-te-jan-prenges-para-rrembimit/
https://a2news.com/2020/01/30/rrembimi-i-jani-prenges-urdhri-erdhi-nga-burgu-i-sigurise-se-larte-ne-ekuador/

A2 CNN Livestream

Latest Videos