
Kësaj radhe, gjykatat që prej vitesh kanë karakterizuar martesën e tyre 20-vjeçare, nuk penguan Yuliya Navalnaya për të takuar për pak çaste bashkëshortin e saj Alexei, figurën më të njohur që kundërshton politikisht pushtetin, pothuajse absolut të Vladimir Putin në Rusi.
Alexei Navalni po vuan një dënim me 2.5 vite, në burgun e sigurisë së lartë të Pokrov, rreth 70 kilometra nga Moska.
Po në ato ambiente po zhvillohen edhe seancat dëgjimore të një çështje korrupsioni që mund të dënojë sërish Navalnin me 10 vjet burg. Opozitari akuzohet se ka përvetësuar rreth 4.7 milionë dollarë që ishin dhuruar nga mbështetës për organizatën e tij politike.
Jeta në burg, siç ka deklaruar vetë Navalny, është veçanërisht e vështirë, ku sipas denoncimeve të tij zgjohet të paktën 8 herë gjatë natës nga gardianet e burgut, nuk pastrohet qelia e tij dhe rrezikon të përfundojë në izolim për shkelje shumë të vogla.
Vizita e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në Moskë ditën e sotme, për të diskutuar mbi çështjen e Ukrainës, po përdoret nga mbështetësit e tij, për të mbajtur një qëndrim mbi rastin.
Pikërisht në Gjermani, opozitari rus ishte transportuar pas një tentative helmimi, në dhjetorin 2020, që e dërgoi 45 -vjeçarin në koma. Pas shërimit, Navalny vendosi të kthehej gjithsesi në atdhe, edhe pse arrestimi i tij ishte pothuajse i sigurt. (A2 Televizion)