Rusia: Propaganda e Perëndimit u turpërua dhe u shkatërrua pa u qëlluar asnjë plumb

Nga A2 CNN
15 Shkurt 2022, 10:21 | Bota
Rusia: Propaganda e Perëndimit u turpërua dhe u shkatërrua pa u

Ndërsa Moska paralajmëroi se po tërheq disa nga trupat e vendosur në kufirin me Ukrainën, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, nuk i kursen sulmet ndaj shteteve perëndimore. Në një postim në Telegram, ajo shkroi: “15 shkurt 2022 do të futet në histori si dita kur propaganda perëndimore e luftës u turpërua dhe u shkatërrua pa u qëlluar një plumb i vetëm”, tha ajo.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se disa trupa të vendosura pranë kufirit me Ukrainën po kthehen në bazat e tyre pas përfundimit të stërvitjeve, sipas agjencisë së lajmeve Interfax. Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov tha: “Njësitë e rajoneve jugore dhe perëndimore që kanë përfunduar misionet e tyre kanë nisur të transportohen në garnizonet e tyre sot. Njësi të tjera të veçanta do të marshojnë në këmbë, si pjesë e karvanit ushtarak. Disa operacione stërvitore ushtarake janë kryer sipas planit, ndërsa operacione të tjera do të vijojnë”.

Klikoni këtu për të gjitha zhvillimet për krizën në Ukrainë.

Forcat e Armatosura ruse po vijojnë stërvitje të mëdha ushtarake në disa zona. Në rrjetet sociale u transmetuan një ditë më parë pamje të tankeve ruse vetëm 15 minuta larg kufirit me Ukrainën. Sa për stërvitjen e përbashkët mes trupave ruse dhe atyre bjelloruse, Moska thotë se do të përfundojë më 20 shkurt.

Rusia ka pozicionuar rreth 130 mijë trupa pranë kufirit me Ukrainën dhe 30 mijë të tjera janë vendosur në Bjellorusi. Ndërkohë nëndetëse dhe mjete amfibe luftarake janë vendosur në Detin e Zi. Disa nga videot e postuara në rrjetet sociale po analizohet nga ekspertët e CNN, për të verifikuar vërtetësinë e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos