Presidenca shton një tjetër ngërç me Kuvendin. Këtë herë, Kreu i Shtetit akuzon Komisionin e Ekonomisë se ka vendosur qëllimisht rrëzimin pa praninë e përfaqësuesve të saj, por vetëm të qeverisë së tre dekreteve. Përkatësisht të kontratës së koncesionit në Porto-Romano, dekretin “Për shërbimet e pagesave” dhe dekretin për përjashtimin nga TVSH të mjeteve lundruese të luksit dhe i jahteve.
“Procesi ligjbërës po shpërdorohet haptazi, në mënyrën më flagrante të mundshme, ku tashmë nuk po shkelet ligji për të kryer favore, por po bëhen ligje të posaçme për t'i realizuar ato. Në gjuhën juridike, kjo do të thotë “korrupsion legjislativ”, që është akti më i rëndë i shpërdorimit të pushtetit publik”, shkruhet në njoftimin e Presidencës.
Përsa më sipër, presidenti kërkon hetim mbi Kuvendin.
“I bëjmë thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) të nisë hetimet për të gjitha procedurat e propozimit dhe shqyrtimit të këtyre ligjeve për të vënë përpara përgjegjësisë autorët, të cilët përmes ligjit duan të përmbushin qëllimet e tyre favorizuese klienteliste”.
Sipas Metës, procesi ligjbërës dhe interesat klienteliste nuk mund të fusin në qorrsokak procesin e integrimit europian. (A2 Televizion)