
Gazment Bardhi, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar vendimin e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen “Becchetti”.
Për Bardhi ky vendim është banalitet i kushtetueses, ndërsa thekson se kjo çështje ka nevojë urgjente që të hetohet.
“Banaliteti me të cilin Gjykata Kushtetuese ka penguar ngritjen e Komisionit Hetimor për dëmin prej më shumë se 110 milionë euro ndaj shtetit shqiptar, shkaktuar nga Edi Rama dhe qeveria e tij, provon edhe njëherë se kjo çështje ka nevojë urgjente që të hetohet!
Asnjë arsye banale dhe jo kushtetuese nuk duhet të pengojë opozitën ti shkojë deri në fund kësaj çështje. Keqardhje që GJK e reformuar po “reformon” vetveten në dëm të interesit publik, duke u bërë mburojë e korrupsionit dhe paligjshmërisë qeveritare”, tha Bardhi. (A2 Televizion)