Rritet bilanci nga “Covid-19”, Britania në kërkim të vaksinës

Nga A2 CNN
12 Shkurt 2020, 15:49 | Bota
Rritet bilanci nga “Covid-19”, Britania në kërkim të

Rritet bilanci nga koronavirusi, që tashmë do të ketë një tjetër emërtim sipas një vendimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Mbi 1100 persona kanë humbur jetën pasi u infektuan nga “Covid-19”, ku pjesa më e madhe e viktimave regjistrohen në provincën Hubei të Kinës, epiqendër e epidemisë.

Në botë, personat e infektuar nga virusi vdekjeprurës janë mbi 45 mijë, 44670 vetëm në Kinën kontinentale. Rastet më të shumta jashtë Azisë rezultojnë në Gjermani, me16 pacientë, ndjekur nga Australia dhe Shtetet e Bashkuara me 15 dhe 13 raste me “Covid-19”. Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ngriti forumin për inovacion dhe kërkim, si masë për të luftuar përhapjen e virusit kinez.

Ndërsa një ekip shkencëtarësh në Mbretërinë e Bashkuar po punojnë me ritme të shpejta për gjetjen e një vaksine. “Duhet të sigurohemi që të kemi një vaksinë sa më parë. Nëse ajo nuk është e nevojshme jashtë Kinës, ky nuk është një problem, por madje diçka e mirë. Por duhet të sigurohemi që vaksina të jetë e gatshme sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Robin Shattock, profesor në departamentin e mjekësisë.

Sa i përket qarkullimit të udhëtarëve, Kina vijon të pranojë dhe dërgojë fluturime me një numër të kufizuar shtetesh. Ndërsa qytetarët brenda vendit nuk i janë rikthyer ende normalitetit me rrugët dhe metrotë e qyteteve të mëdha që duken të boshatisura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos