
Bilanci i viktimave nga koronavirusi në Britaninë e Madhe u rrit me 3811 humbje jetë të tjera gjatë ditës së sotme pasi qeveria vendosi për herë të parë të përfshijë në statistika dhe personat që kanë vdekur në azile apo shtëpitë e tyre. Dhe megjithatë, mendohet se bilanci në realitet mund të jetë më i madh.
Sot, për herë të parë, Departamenti i Shëndetësisë ka përfshirë në statistikat ditore edhe numrin e personave të cilët kanë vdekur jashtë strukturave spitalore, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave të ngrihet ndjeshëm nga 21,678 në 26,097.
Por një rritje tjetër e këtij bilanci pritet në ditët në vijim pasi Zyra Kombëtare e Statistikave ka raportuar më herët, se më shumë se 4300 persona kanë vdekur nga 17 prilli në azile.
Megjithatë qeveria bën me dije se në statistika do të përfshihen vetëm njerëz që janë testuar pozitivë me koronavirus, pavarësisht se këto testime ishin të racionuara në muajin e parë të shpërthimit të pandemisë. (A2 Televizion)