
Rastet me Covid-19 vazhdojnë të ulen në Itali edhe pse numri i viktimave mbetet i lartë. Të martën u raportuan mbi 2900 të infektuar të rinj, për një total prej më shumë se 162 mijë personash.
Sa i përket vdekjeve shifrat janë në rritje; 602 jetë të humbura në 24 orë dhe mbi 21 mijë viktima gjithsej. Mbeten pozitive të dhënat lidhur me të shëruarit, me 1700 persona të tjerë që e fituan betejën me pandeminë. Gjithashtu, vijon rënia e shtrimeve në terapi intensive.
Me përmirësimin gradual të situatës, autoritetet po hedhin hapa të kujdesshëm drejt rihapjes. Libraritë dhe dyqanet me veshje për fëmijë u lejuan të ngrenë qepenët të martën, si pjesë e fazës së parë të riaktivizimit të ekonomisë.
Faza e dytë, kur është parashikuar rihapja e sektorëve të tjerë jo të domosdoshëm, përfshirë atë të modës, besohet se mund të nisë pas 3 majit, e megjithatë nën një protokoll të rreptë sigurie.
Për shkollat, shtatori vlerësohet si afati më i mundshëm për rihapje, ndërsa sa iu përket pushimeve të verës autoritetet sigurojnë se italianët do të mund të shkojnë në det. Po konsiderohet mundësia e një distance prej 3 metrash largësi mes çadrave dhe ajo e përdorimit të barrierave prej peçikllazi. (A2 Televizion)