
Rritjes së çmimeve të produkteve në treg, krahas shtrenjtimit që vjen nga importi dhe kostove të rritura të naftës, i shtohen dhe abuzimet nga furnitorët e mëdhenj. Sipas nënkryetarit të shoqatës së biznesit të vogël dhe të Mesëm, Bujar Muça biznesi i vogël reflekton rritjen por nuk mund të ndërhyjë ndaj nevojitet inspektim i autoriteteve përkatëse për të kapur abuzimet e mundshme që i faturohen qytetarëve.
Krahas rritjes së çmimit të naftës shqetësuese për bizneset mbetet rritja e çmimit të energjisë, e cila do të reflektohet në kostot e prodhimit. Pavarësisht masës lehtësuese të miratuar në paketën e rezistencës sociale biznesi i vogël ndihet i pambrojtur.
Ekspertët shprehen se kriza aktuale po ndikon në rënien e konsumit me gati 10-15%. Kjo reflektohet më shumë dhe te karburantet.
Përballë shtrenjtimit të çmimeve këto dy muajt e fundit konsumi është përqendruar te produktet bazë, kryesisht ushqime si mielli, buka dhe vaji. Ndërkohë bizneset raportojnë rënie të blerjeve në karburante, ku drejtuesit e mjeteve janë dekurajuar nga çmimet që kapën deri në 290 lekë për litër, para vendosjes së çmimeve tavan. Në kushte të tilla, deri në stabilizim të tregut shqiptarët po shpenzojnë për mbijetesë dhe mundësia për të kursyer apo investuar duket e largët. (A2 Televizion)