
Pas mbledhjes së grupit parlamentar, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se shumë shpejt do të depozitohet një propozim në Kuvend me anë të të cilit do të kërkohet ulja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për të gjitha produktet e shportës.
Sipas kreu të demokratëve, një nisëm e tillë do të ndihmojë drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë, shumë prej të cilëve prej vitesh po përballen me varfërinë.
“INSTAT ka publikuar të dhëna që tregojnë realitetin që çdo prind e gjen në tavolinën e bukës, e kjo është varfëria që po shoqërohet nga rritja e çmimeve të ushqimeve të shportës, gazit, naftës, energjisë. Duhet të sjellim një lehtësim. Do të depozitojmë propozimin për uljen e TVSH për mallrat e shportës ushqimore nga 20 në 6%. Ky nuk është thjesht një propozim politik, por një hap i rëndësishëm për të ndihmuar njerëzit. Ky shtet ndonëse i rrënuar, i grabitur prapë e ka mundësinë që duke ja hequr favoret një grushti njerëzish të ndihmojë 97% të qytetarëve”, tha Basha. (A2 Televizion)