
Eksperti i ekonomisë, Oltion Rrumbullaku ishte i ftuar në Debat me Alba Alishanin në A2 CNN ku diskutoi në lidhje me vendimin e qeverisë për të rritur rrogat mesatare në 900 euro.
Rrumbullaku deklaroi se disa sektorë që kanë një ndikim më të madh në ekonominë e vendit, siç është dhe turizmi duhet të kenë një vëmendje më të madhe përsa i përket pagave.
Gjithashtu, ai shtoi se me një vështrim paraprak të rritjes së pagave në administratë, diferenca mes një specialisti dhe një drejtori është shumë e vogël, një problem ky që nuk do të favorizojë njerëzit të marrin përgjegjësi dhe të promovohen.
“Me një shtrirje të ekonomisë drejt turizmit, shpresoj që duhet një ridimensionim të pagës dhe në nivel rajonal duke iu dhënë prioritet disa rajoneve që i japin një ndikim më të madh ekonomisë që aktualisht kanë paga minimale. Një specialist i turizmit në Sarandë e Vlorë e ka pagën 40 mijë lekë. Në nivel kombëtar duhen promovuar disa pozicione. Është një diferencë shumë e vogël mes një specialiste dhe një shefi sektori apo drejtori. Janë paga aq të afërta sa ishte jo motivuese që të bëhej një promovim dhe po ashtu të kishim një kalim nga sektori privat në sektorin publik. Duhet dinamizëm mes sektorëve”, tha Rrumbullaku. (A2 Televizion)