
Pas pagës mesatare 900 euro, kryeministri Edi Rama ka shpallur një tjetër ambicie... të ardhura për frymë në 10 mijë euro.
“I kemi rritur të ardhurat për frymë në 6400 euro për frymë në total, nga 3300, ne duhet patjetër ta kemi të fiksuar që pa e çuar të ardhurat për frymë në 10 mijë euro, nuk kemi bërë atë që duhet dhe duam t’i çojmë të ardhurat në 10 mijë euro.”
Kryeministri Rama
Të ardhurat për frymë janë dyfishuar nëse krahasohen me vitin 2013. Madje në raport me vitet 1990 apo 1995, që shënjuan tranzicionin politik dhe ekonomik, ato janë zgjeruar me gati 10 herë. Po sot, nisur nga zhvillimet brenda dhe jashtë vendit, sa i mundur është objektivi “10 mijë euro për çdo qytetar shqiptar”?
“I mundur është, por varet me çfarë mjete ne do të përpiqemi për të shkuar atje. Nëse do t’i referohemi ritmeve të rritjes prej 2015-s mund të themi se është një mision i arritshëm në 3 apo 4 vite.”
Selim Blliku, studiues i çështjeve ekonomike
Në linjë të ngjashme me të ardhurat ka ecur edhe borxhi për frymë në vite. Nga 2 mijë e 165 dollarë në 2019-n, treguesi arriti në 4 mijë e 360 dollarë.
“Janë rritur të ardhurat për frymë, por çfarë po bëjmë ne për të ulur borxhin për frymë. Rritja e këtij treguesi zhvlerëson të parin.”
Selim Blliku, studiues i çështjeve ekonomike
Shqipëria është aktualisht vendi i parafundit në Ballkan për nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë. Mali i Zi kryeson me mbi 9 mijë e 400 dollarë për frymë, ndjekur nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Kosova është vendi me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë me 5 mijë e 270 dollarë. (A2 Televizion)