
Disa dhjetëra banorë të zonës së njohur si ish-BLB në Elbasan, kanë protestuar mëngjesin e kësaj të premteje për bllokimin që bashkia i ka bërë nyjës që ata e përdorin për të hyrë dhe për të dalë nga lagjja e tyre.
Gjatë protestës, ata bllokuan për disa minuta edhe qarkullimin në unazën juglindore të qytetit, që është dhe pjesë e aksit nacional që lidh juglindjen e vendit me Tiranën dhe Durrësin.
Sipas bashkisë, bllokimi i nyjës u bë pasi ishte mjaft e rrezikshme dhe ishte premisë për aksidente, duke orientuar daljen e banorëve në një tjetër rrugë pranë kodrës së Krastës. Por kjo zgjidhje kundërshtohet nga banorët, të cilët kanë deklaruar vijimin e protestave, derisa në këtë nyje të bëhet një zgjidhje tjetër me mbikalim ose nënkalim për ta. (A2 Televizion)