
Rruga e Lekbibajve në degradim total, teksa afrohet acari i dimrit. Është kjo akuza e deputetit të Partisë Demokratike Isuf Çelaj, për një zonë si ajo e Nikaj Mërkur që sipas tij është lënë në harresë nga qeveria qendrore, ndërkohë që ai segment ishte rindërtuar më parë nga demokratët.
Deputeti i qarkut të Kukësit me anë të një postimi në Facebook tregon edhe gjendjen e mjeruar të infrastrukturës rrugore, në një nga zonat e thella të Tropojës.
Çelaj i bën apel institucioneve qendrore dhe vendore të marrin masa urgjent, për të shmangur një emergjencë. “Thirrja ime dhe e banorëve të kësaj zone shkon për strukturat e ARrSH-së, AECivile dhe Bashkisë Tropojë që të marrin masa urgjente për riparimin e saj, pasi jemi në fillimin e dimrit dhe në se nuk ndërhyhet banorët e kësaj Njësie do të mbeten të bllokuar dhe të pamundur për t’u furnizuar me ushqime si dhe në mëshirë të fatit në raste urgjencash shëndetësore”, shkruhet ndër të tjera në postimin e tij në rrjetet sociale. (A2 Televizion)