Për të dëshmuar atë që po ndodh në Ukrainë, A2 CNN ndodhet në frontin e luftës me gazetarin Julian Kasapi dhe operatorin Endrit Myftari. Grupi i xhirimit ishte pozicionuar në një zonë pranë Bakhmut, i cili është kthyer në një fushë betejë mes forcave ruse dhe atyre ukrainase.
Sulmet e ushtrisë së Vladimir Putin nuk janë ndalur as mbrëmjen e së mërkurës, ku një raketë ka shkatërruar totalisht një ndërtesë, ndërsa ka shkaktuar dëme edhe në një pallat ngjitur me të. Gazetari Julian Kasapi raporton nga vendi i ngjarje, duke bërë të ditur se të paktën 1 person është konfirmuar i vdekur, ndërsa grupet e shpëtimit ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për të nxjerrë të tjerë persona të dyshuar që mund të kenë mbetur nën rrënoja.
“Shpërthimi ka qenë i fuqishëm. Kjo ka ndodhur vetëm 100 metra nga godina ku ne po qëndrojmë. Shpërthimi është dëgjuar në të gjithë zonën”, raporton gazetari.
Në atë zonë lindore të Ukrainës, një vit më parë jetonin rreth 200 mijë banorë, raporton gazetari, ndërsa sot aty ka vetëm 60 mijë banorë.
Gjatë ditës, gazetari Julian Kasapi ka kryer edhe një intervistë me kryetarin e Bashkisë së Kievit, ish-kampioni i boksit, Vitali Klitschko. Klitschko nënvizon se Rusia jeton ende me ndjenjat e Bashkimit Sovjetik dhe se ukrainasit i shohin si pjesë e kësaj ideje. “Por ajo kohë ka perënduar”, thotë ai për A2, duke shtuar se shpreson që lufta të sjellë sa më shpejt paqen.
“Ne kemi luftuar këtë luftë me mbështetjen e qytetarëve ukrainas, por edhe me ata të kryeqytetit gjithashtu. Në Kiev janë shkatërruar më shumë se 700 ndërtesa, mbi 470 apartamente, janë vrarë më shumë se 150 civilë, përfshirë 4 fëmijë. Është shkatërruar jeta normale e miliona njerëzve në Ukrainë, dhe jo vetëm këtu, por edhe në Europë. Aktualisht, kemi shumë sfida”, rrëfen kryebashkiaku i kryeqytetit ukrainas për A2 CNN. (A2 Televizion)





