Rusia reagon “dhëmb për dhëmb” ndaj Maqedonisë së Veriut, shpall “non grata” diplomatin

Nga A2 CNN
4 Tetor 2021, 11:09 | Ballkani
Rusia reagon “dhëmb për dhëmb” ndaj Maqedonisë

Moska ka shpallur “non grata” një diplomat në ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Moskë, si reagim ndaj një vendimi të ngjashëm të Shkupit, në muajin gusht.

“Më 4 tetor, Olivera Chaushevska-Dimovska, ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në Moskë, u ftua në Ministrinë e Jashtme të Rusisë dhe iu komunikua se një anëtar i ambasadës është shpallur “non grata”. Kjo masë është marrë si një përgjigje e vendimit të pabazuar të Maqedonisë së Veriut, e cila shpalli "non grata" një diplomat të ambasadës ruse”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Në muajin gusht, Bujar Osmani, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, njoftoi se Shkupi shpalli "non grata" një zyrtar të ambasadës ruse. “Ministria e Punëve të Jashtme, brenda kompetencave të saj, po merr të gjitha masat dhe veprimet e duhura, sipas Konventës së Vjenës për marrëdhëniet diplomatike për të mbrojtur sigurinë kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për të mbrojtur rolin dhe përgjegjësinë e vendit si anëtar i aleancës së NATO -s ”, tha Osmani në muajin gusht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos