
Autoritetet ruse që kanë marrë drejtimin e qytetit të pushtuar ukrainas të Khersonit vendosën të shtyjnë referendumin për t’iu bashkuar Rusisë për arsye sigurie.
“Vendimi erdhi për shkak të situatës së vështirë të sigurisë”, u shpreh Kirill Stremousov, zv/shefi i administratës ruse të caktuar në Kherson.
Ditët e fundit ushtria ukrainase ka nisur një kundërofensivë në pjesën jugore të vendit, pikërisht në Kherson dhe Zaporizhzha, aty ku rusët mbajnë ende kontrollin.
Gjatë një deklarate në televizionin shtetëror rus, Stremousov deklaroi se ukrainasit shkatërruan një urë të rëndësishme dhe tashmë mjetet nuk mund të lëvizin më.
Ai shton se makinat që transportojnë civilë përtej lumit Dnieper ishin gjithashtu nën zjarrin ukrainas, siç ishte edhe infrastruktura e qytetit.
Ukraina ka vendosur raketa-hedhës të shumëfishtë Himars të prodhuar nga SHBA-ja në përpjekjen e saj për të shtyrë rusët jashtë qytetit, i pari që ra në duart e tyre pas nisjes së pushtimit më 24 shkurt. (A2 Televizion)