
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Ukraina duhet të pranojë propozimet e Moskës sa i përket “territoreve të reja” të saj ose ushtria ruse do të veprojë.
“Armiku i di mirë katër propozimet tona për demilitarizimin dhe denazifikimin e territoreve të kontrolluara nga regjimi dhe eliminimi i kërcënimeve të sigurisë ruse nga aty, përfshi territoret tona të reja (Donetsku, Luhansku, Kherson dhe Zaporozhia)”, tha Lavrov, sipas agjencisë ruse të lajmeve, TASS.
“Tani ka mbetur vetëm një gjë për të bërë: plotësimi i tyre para se të jetë tepër vonë. Përndryshe, ushtria ruse do të marrë në dorë gjërat. Sa i përket zgjatjes së konfliktit, topi është në anën e Uashingtonit dhe regjimit atje. Ata mund ta ndalojnë në çdo moment këtë rezistencë në tokë”.
Kievi dhe Perëndimi i kanë dënuar lëvizjet e Rusisë për të marrë të katër territoret që Moska pretendon se i ka të sajat tashmë, pasi sipas tyre ka shkelur ligjet ndërkombëtare gjatë aneksimit të tyre. Por pavarësisht se në letër i konsideron si pjesë të federatës, forcat ruse nuk kanë kontroll të plotë mbi këto territore.
Javën e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, pranoi se situata aty është shumë e ndërlikuar, duke njohur kështu sfidat me të cilat po përballet ushtria a tij në përpjekjen për t’i marrë territore Ukrainës. (A2 Televizion)