Sa kushton jeta? Dëmshpërblimi për aksidentet, i nënçmuar dhe i cunguar

Nga A2 CNN
15 Janar 2021, 19:58 | Kronikë

Jeta e njeriut është e paçmuar, por humbja e saj në një aksident rrugor është e llogaritshme për arsye dëmshpërblimi. Në vendin tonë, dëmshpërblimi që mund të presë familja e një viktime, bazuar tek mosha mesatare dhe të ardhurat mesatare është rreth 60 mijë euro. Ndërkohë që në Itali kjo vlerë mesatare është rreth 300 mijë euro.

Një diferencë e madhe midis dy shteteve vihet re edhe tek dëmshpërblimet për paaftësi për punë dhe vjen kryesisht për shkak të të ardhurave, por një ndikim të madh jep rregullorja për trajtimin e dëmeve e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që sipas avokates Ermela Guxholli, tashmë duhet të reflektojë rritjen e çmimit që ne paguajmë për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve.

Vlera e dëmshpërblimit nga dëmet në aksidentet rrugore llogaritet në bazë të disa faktorëve: si të ardhurat personale vjetore dhe mosha, faktorë që shpeshherë zhvlerësojnë jetët e kategorive si fëmijët, të moshuarit, apo të papunët.

Ermela Guxholli, avokate në fushën e sigurimit

Rregullorja 53 e AMF-së, ka pësuar disa ndryshime ndër vite, që prekin veçanërisht përqindjet e paaftësisë që përfitohen në bazë të dëmtimeve të ndryshme. Sipas Guxhollit, kjo ka cunguar vlerën që duhet të përfitojnë të dëmtuarit.

Shpeshherë kompanitë e sigurimit do të përpiqen të ofrojnë vlerën më të ulët të dëmshpërblimit që u lejon rregullorja. Për këtë arsye Guxholli këshillon kontaktimin e një avokati të specializuar, që të mundësojë negocimin në bazë të vlerës maksimale që ofron ligji për sigurimin e detyrueshëm. Diçka që mund të rrisë ndjeshëm edhe vlerën e kompensimit financiar. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/01/15/aksidentet-e-frikshme-ne-tirane-tehun-e-vdekjes-policia-e-kalon-me-heshtje/

A2 CNN Livestream

Latest Videos