Samiti BE-Ukrainë, angazhim për më shumë sanksione kundër Moskës

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2023, 11:15 | Bota
Samiti BE-Ukrainë, angazhim për më shumë sanksione

Liderët e Bashkimit Europian takohen sot në Kiev me presidentin Volodimir Zelensky, ku do të angazhohen për sanksione të reja kundër Rusisë. Megjithatë, ata pritët të zhgënjejnë Ukrainën lidhur me shpresën për anëtarësim të shpejtë në BE. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, mbërriti me tren në Kiev të enjten, në një udhëtim simbolik që synon të tregojë mbështetjen për Ukrainën në prag të 1-vjetorit të nisjes së luftës ruse, më 24 shkurt.

Bashkë me presidentin e këshillit, Charles Mishel dhe zyrtarë të tjerë të bllokut, ata u takuan me pjesëtarë të qeverisë ukrainase, ndërsa sot, do të zhvillojnë bisedime me Volodimir Zelensky. Presidenti i Ukrainës bëri thirrje për më shumë masa ndëshkuese kundër Rusisë nga Bashkimi Evropian, por sanksionet e reja që po përgatit blloku mund të mos përmbushin plotësisht kërkesat e Kievit.

“Ne nuk do të mbetemi pa ju përgjigjur çdo akti agresioni të pushtuesve. Ata po kërkojnë mënyra për të ndryshuar trajektoren e luftës dhe po përpiqen të shfrytëzojnë potencialin e të gjitha territoreve që kontrollojnë ende, në shërbim të agresionit. Ne duhet të vazhdojmë atë qe po bëjmë; të fuqizojmë rezistencën dhe të jemi absolutisht të bashkuar. Në Ukrainë duhet t’i flasim botës me një zë, dhe duhet të rrisim presionin global ndaj Rusisë, çdo muaj”, tha Zelensky. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos