Samiti i liderëve të BE-së, udhëheqësit bisedojnë për Kosovën: Të ulen tensionet

Nga A2 CNN
30 Qershor 2023, 12:38 | Bota
Samiti i liderëve të BE-së, udhëheqësit bisedojnë

Sot është dita e dytë dhe përmbyllëse e samitit të liderëve të Bashkimit Europian, ku mes tjerash po diskutohet edhe për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë temë është folur edhe gjatë të enjtes, ku në takim ishte i pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Ishte një diskutim mjaft dinamik dhe shumë pjesëmarrës folën për këtë temë. Por, porosia kryesore ishte se duhet të veprohet shpejt për shtensionimin e situatës”, është shprehur një zyrtar i BE-së, sipas asaj që raporton Radio Evropa e Lirë.

Në përfundimin e punimeve duhet që të miratohet edhe teksti i konkluzioneve, siç është procedura gjatë samiteve të liderëve të BE-së. Në atë dokument duhet të përfshihet edhe një paragraf për Kosovën dhe Serbinë, dhe një tjetër për zgjerimin.

Por përplasjet e brendshme dhe refuzimi i Hungarisë dhe Polonisë për çështjen e emigracionit dhe financimeve për Ukrainën mund të bllokojnë miratimin e konkluzioneve.

Në paragrafin për zbutjen e tensioneve Prishtinë-Beograd, zyrtarët e BE-së do të kërkojnë zbatimin pa kushte të planin me 3 pika për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos