
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka kërkuar njohjen e certifikatës elektronike shqiptare të vaksinimit nga vendet e Bashkimit Europian. Në fjalën e saj në Samitin e Ministrave të Ballkanit Perëndimor, Manastirliu tha se situata epidemiologjike në Shqipëri është e përmirësuar dhe ka rëndësi strategjike për ekonominë.
“Njohja e përbashkët e certifikatës elektronike të vaksinimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perendimor dhe vendeve të Bashkimit Europian është e domosdoshme: E para, sepse vendet e Ballkanit Perendimor kanë një nivel të ulët të përhapjes së infeksionit; e dyta, për shkak të lidhjeve të ndërsjella dhe shkëmbimit që ekziston mes vendeve të Ballkanit Perendimor dhe vendeve të Bashkimit Europian dhe e treta, për rëndësinë strategjike që ka turizmi për ekonomitë e vendeve tona. Ndaj unë do të doja të përfitoj nga ky rast, për të sjellë në vëmendjen e kolegëve të nderuar në këtë takim, që certifikata jonë, të njihet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, për të ndihmuar qytetarët tanë të udhëtojnë të sigurt dhe të lirë”.
Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, theksoi se 3 vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë e kanë marrë dritën jeshile për lëvizjen e lirë dhe po punohet për njohjen e certifikatave të vaksinimit me vende të treta.
“Siç e dini tashmë tre vende të Ballkanit Perëndimor janë vlerësuar ‘zonë e gjelbër’ për lëvizjen e lirë dhe ne duam që kjo verë të jetë shumë më e mirë se e vitit të kaluar, sa i takon lëvizjes së lirë dhe besojmë se e tillë do të jetë. Ne e kemi treguar se jemi krah vendeve të Ballkanit Perendimor me mbështetjen e dhënë edhe sa i takon sigurimit të vaksinave anticovid dhe do t’a thellojmë këtë mbështetje në muajt në vijim. Nga ana tjetër ne po punojmë për një sistem, për të njohur certifikatat e vaksinimit edhe nga vendet e treta”, tha z. Varhelyi.
Ministri Gjerman i Shëndetësisë, z. Jens Spahn tha se vendet e Ballkanit Perëndimor konsiderohen nga Gjermania si zona me risk të ulët, duke iu referuar të dhënave të Institutit të njohur Robert Koch.
“Është shumë i rëndësishëm forcimi i bashkëpunimit mes vendeve sa i takon ‘udhëtimit të sigurt’. Për Gjermaninë, vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë janë zona me risk të ulët të përhapjes së Covid19. Por duhet parë me kujdes varianti Delta, i cili duhet thënë se po përhapet edhe në Gjermani”, tha z. Spahn.
Në takimin e nivelit të lartë të zhvilluar online pasditen e sotme, merrnin pjesë Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, z. Oliver Varhelyi, Ministri i Shëndetësisë i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Jens Spahn, Ministri i Shëndetësisë i Francës, z. Oliver Veran, Ministrat e Shëndetësisë së vendeve të Ballkanit Perendimor, drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, dr. Hans Kluge, drejtorja e Qendrës Europiane të Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve (ECDC) dr. Andrea Ammon, Zv/Presidenti i Institut ‘Robert Koch’ prof. Lars Schaade dhe të tjerë.
Samiti i Ministrave të Shëndetësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, u zhvillua në kuadër të Procesit të Berlinit, që është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ky proces filloi dhe u prezantua në 28 gusht 2014, nga kancelarja Gjermane Angela Merkel. (A2 Televizion)