
Policia sekuestroi 1,5 milionë euro pasuri të ish-drejtorit të ALUIZNI-t për Tiranën, Ferdinand Shehu.
Policia njoftoi se Shehu kohët e fundit, nëpërmjet një banke të nivelit të dytë, kishte tentuar transferimin e 1 milion eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 euro të tjera i kishte vendosur në depozitë me afat.
Sipas bluve, shuma e përfituar është e dyshimtë, ndonëse Shehu pretendon se ajo vjen si rrjedhojë e shitjes së një hoteli në afërsi të rrugës “Fortuzi” në kryeqytet.
Operacioni policor i koduar "Investimi" bëri të mundur bllokimin e eurove, ndërsa Shehu dyshohet se ka konsumuar veprat penale të pastrimit të parave. Në vitin 2011, periudhë që akuzohet dhe nga policia, Ferdinand Shehu u shkarkua për mungesë të integritetit moral.
Argumenti ishte fshehja e të kaluarës e para vitit 1992, ku, sipas ALUIZNI-t, ai kishte punuar për 4 vite hetues, por edhe efektiv në Ministrinë e Rendit Publik, por nuk i kishte deklaruar. (A2 Televizion)